Terms

Përditësuar së fundi: 22 nëntor 2026

Këto kushte rregullojnë përdorimin e faqes shiko.menu dhe të shërbimeve të saj. Ju lutemi lexojini me kujdes: duke e përdorur faqen, duke hapur llogari, duke bërë një porosi ose një rezervim, ju pajtoheni me to.

1. Çka është shiko.menu

shiko.menu është platformë online që:

  • u mundëson lokaleve (restorante, kafiteri, bare, piceri, hotele e të tjera) të krijojnë menu dixhitale me kod QR, të pranojnë porosi dhe rezervime nga mysafirët e tyre dhe të përgatisin postime për rrjete sociale;
  • u ofron vizitorëve një udhërrëfyes të restoranteve, receta dhe kokteje.

Në këto kushte, „ne“ dhe „platforma“ nënkuptojnë shiko.menu; „lokali“ është biznesi që e përdor platformën për menunë e vet; „mysafiri“ është personi që e shikon menunë, porosit ose rezervon te një lokal.

2. Kush mund ta përdorë

Menutë, udhërrëfyesin dhe recetat mund t'i shikojë kushdo. Porosi dhe rezervime mund të bëjë çdo mysafir; për të miturit përgjigjen prindërit ose kujdestarët e tyre. Pijet alkoolike u shërbehen vetëm personave që kanë mbushur 18 vjeç, dhe lokali mund të kërkojë dokument identifikimi. Llogarinë e një lokali mund ta hapë vetëm një person që ka mbushur 18 vjeç dhe ka të drejtë ta përfaqësojë atë lokal.

3. Për mysafirët: menutë, porositë dhe rezervimet

Menutë

Artikujt, çmimet, fotot, përshkrimet, alergjenët, oraret dhe ofertat në menunë e një lokali i vendos vetë lokali, i cili përgjigjet për saktësinë e tyre. Fotot janë ilustruese. Nëse keni alergji ose kërkesa të veçanta ushqimore, pyeteni lokalin para se të porosisni.

Porositë

Kur porositni përmes menusë së një lokali, marrëveshja e shitjes lidhet ndërmjet jush dhe lokalit. shiko.menu vetëm e përcjell porosinë te lokali: ne nuk e përgatisim, nuk e shesim dhe nuk e dorëzojmë ushqimin.

  • Porosia është e pranuar kur e pranon lokali; gjendjen e saj e shihni në telefon.
  • Lokali mund ta refuzojë një porosi, për shembull kur një artikull ka mbaruar, kur është jashtë orarit ose jashtë zonës së dorëzimit.
  • Çmimet, përfshirë çmimin e dorëzimit, i cakton lokali. Pagesa i bëhet lokalit, sipas mënyrave që ai i ofron në faqen e porosisë.
  • Dorëzimin e bën lokali; kohët e marrjes dhe të dorëzimit janë të përafërta.
  • Për ndryshime, anulime, ankesa ose kthim parash drejtohuni te lokali ku keni porositur.

Rezervimet dhe thirrja e kamarierit

Kërkesa për rezervim i dërgohet lokalit dhe vlen kur lokali e konfirmon. Lokali mund t'ju kontaktojë në telefonin që keni lënë. Nëse nuk mund të vini, ju lutemi lajmërojeni lokalin. Butoni „Thirr kamarierin“ i dërgon lokalit një njoftim; ne nuk garantojmë se sa shpejt do t'ju shërbejnë.

Të dhënat që jepni

Emri, telefoni, adresa dhe shënimet që i jepni gjatë porosisë ose rezervimit i kalojnë lokalit, që ta kryejë porosinë ose rezervimin. Ju lutemi mos bëni porosi ose rezervime të rreme.

4. Për lokalet

Llogaria

Të dhënat e regjistrimit duhet të jenë të sakta. Ju përgjigjeni për ruajtjen e fjalëkalimit dhe për çdo veprim që bëhet nga llogaria juaj, edhe nga stafi juaj.

Përmbajtja dhe detyrimet e lokalit

Lokali përgjigjet për gjithçka që publikon: artikujt, çmimet, alergjenët, fotot, ofertat dhe orarin, si edhe për të drejtën e përdorimit të fotove dhe të logos. Lokali përgjigjet po ashtu për përgatitjen dhe dorëzimin e porosive, për rezervimet, për marrëdhënien me mysafirët dhe për respektimin e ligjeve që vlejnë për veprimtarinë e tij (siguria ushqimore, mbrojtja e konsumatorit, tatimet, lejet).

Duke e publikuar përmbajtjen, lokali na lejon ta shfaqim atë në platformë: në menunë e tij, në udhërrëfyesin e restoranteve dhe në dizajnet që i krijon vetë. Emrin dhe logon e lokalit mund t'i përmendim si përdorues të platformës; nëse nuk e dëshironi, na shkruani dhe i heqim.

Të dhënat e mysafirëve

Të dhënat e mysafirëve që vijnë me porositë dhe rezervimet lokali i përdor vetëm për t'i kryer ato dhe i mbron sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Nuk lejohet përdorimi i tyre për reklama pa pëlqimin e mysafirit.

Paketat dhe pagesa

Paketa Bazë është falas. Paketat me pagesë, çmimet e tyre dhe ajo që përfshin secila gjenden në faqen e çmimeve. Çdo paketë ka kufijtë e vet, për shembull numrin e artikujve, të porosive në muaj dhe të dizajneve.

  • Paketat me pagesë paguhen paraprakisht, për muaj ose për vit, sipas mënyrës së treguar gjatë abonimit.
  • Kur abonimi mbaron ose nuk paguhet, veçoritë me pagesë fiken dhe llogaria vazhdon me paketën Bazë.
  • Shumat e paguara për periudhën që ka filluar nuk kthehen, përveç kur e kërkon ligji ose kur shërbimi nuk ka funksionuar për fajin tonë.
  • Çmimet mund të ndryshojnë; për abonimet në vazhdim ndryshimi vlen nga periudha e radhës dhe ju njoftojmë paraprakisht.

Dizajnet për rrjete sociale

Dizajnet që i krijoni te „Dizajne“ mund t'i përdorni lirisht për promovimin e lokalit tuaj. Në paketën Bazë ato mbajnë shenjën „Dizajnuar me shiko.menu“. Për tekstet dhe fotot që i shtoni vetë përgjigjeni ju. Shabllonet, ikonat dhe vetë mjeti mbeten pronë e platformës.

Çka nuk lejohet

  • përmbajtje e paligjshme, mashtruese, fyese ose që shkel të drejtat e të tjerëve;
  • hapja e llogarive në emër të lokaleve që nuk i përfaqësoni;
  • ndërhyrja në punën e platformës, kopjimi i saj ose mbledhja automatike e të dhënave pa lejen tonë;
  • rishitja e shërbimit pa marrëveshje me ne.

Pezullimi dhe mbyllja e llogarisë

Llogarinë mund ta mbyllni kur të doni, duke na shkruar. Ne mund ta pezullojmë ose ta mbyllim një llogari që i shkel këto kushte ose ligjin; kur është e mundur, ju njoftojmë më parë. Pas mbylljes, të dhënat e lokalit fshihen brenda një afati të arsyeshëm, përveç atyre që ligji na detyron t'i ruajmë.

5. Udhërrëfyesi i restoranteve, recetat dhe koktejet

Të dhënat në udhërrëfyes (adresa, orari, fotot, vlerësimet) vijnë nga burime publike dhe nga vetë lokalet, dhe mund të kenë ndryshuar: para se të niseni, verifikojini te lokali. Vlerësimet janë të palëve të treta dhe nuk janë mendimi ynë. Nëse jeni pronar i një lokali dhe doni ta korrigjoni ose ta hiqni nga udhërrëfyesi, na shkruani.

Recetat dhe koktejet janë për informim. Sasitë, kohët dhe këshillat janë orientuese; kontrolloni vetë përbërësit për alergji. Një pjesë e përmbajtjes përgatitet me ndihmën e mjeteve automatike: përpiqemi të jetë e saktë, por nuk garantojmë se është pa gabime. Recetat me alkool janë vetëm për të rritur: pini me përgjegjësi.

6. Pronësia intelektuale

Platforma, pamja e saj, softueri, tekstet dhe emri e logoja shiko.menu janë tonat dhe nuk lejohet kopjimi ose përdorimi i tyre pa lejen tonë. Përmbajtja që e ngarkon një lokal mbetet e lokalit.

7. Funksionimi i shërbimit

Përpiqemi që platforma të punojë pa ndërprerje, por nuk mund ta garantojmë: mund të ketë mirëmbajtje, defekte ose ndërprerje të internetit. Veçoritë mund t'i ndryshojmë, t'i shtojmë ose t'i heqim. Lokali duhet të ketë gjithmonë një mënyrë tjetër për t'u shërbyer mysafirëve kur shërbimi nuk është i qasshëm.

8. Përgjegjësia

shiko.menu është ndërmjetës teknik ndërmjet lokaleve dhe mysafirëve. Ne nuk përgjigjemi për cilësinë, sigurinë ose sasinë e ushqimit dhe të pijeve, për çmimet, vonesat, anulimet ose për mosmarrëveshjet ndërmjet një mysafiri dhe një lokali. Nuk përgjigjemi as për dëme të tërthorta, si fitimi i humbur ose humbja e të dhënave.

Ndaj lokaleve, përgjegjësia jonë e përgjithshme kufizohet në shumën që lokali na ka paguar gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit. Asgjë në këto kushte nuk i kufizon të drejtat që ligji ua njeh konsumatorëve dhe as përgjegjësinë që sipas ligjit nuk mund të përjashtohet.

9. Privatësia

Si i mbledhim dhe si i përdorim të dhënat personale shpjegohet te Politika e privatësisë, që është pjesë e këtyre kushteve.

10. Lidhjet me faqe të tjera

Platforma ka lidhje me shërbime të palëve të treta, si hartat, rrjetet sociale ose WhatsApp. Për përmbajtjen dhe rregullat e tyre nuk përgjigjemi ne.

11. Ndryshimi i kushteve

Këto kushte mund t'i ndryshojmë. Versionin e ri e publikojmë në këtë faqe, me datën e përditësimit; për ndryshime të rëndësishme i njoftojmë lokalet me email ose në panel. Nëse vazhdoni ta përdorni platformën pas ndryshimit, do të thotë se pajtoheni me kushtet e reja.

12. Ligji dhe mosmarrëveshjet

Për këto kushte vlen ligji i Republikës së Kosovës. Mosmarrëveshjet përpiqemi t'i zgjidhim me marrëveshje; kur kjo nuk arrihet, vendos gjykata kompetente në Kosovë. Kjo nuk i prek të drejtat që konsumatorët i kanë sipas ligjit të vendit ku jetojnë.

13. Kontakti

Për çdo pyetje rreth këtyre kushteve na shkruani në [email protected].

×

Shopping Cart

{{ item.name }}

{{ item.quantity }} x {{ item.attributes.friendly_price }}

Cart is empty! Subtotal: {{ totalPriceFormat }}